Ndërhyrja e Kryeministrit në rradhën e vaksinimit, duke diskriminuar pozitivisht një grup njerëzish, tregon dy gjëra:
– E para që këtu nuk ka shtet, po ka një njeri të vetëm që vendos për çdo gjë, tashmë përtej tenderave, konçesioneve, ndan edhe rradhën e jetës apo të vdekjes, a thua i ka blerë vaksinat me lekët e veta dhe i ndan si i do qejfi atij. (po kjo dihej tashmë, s’është gjë e re…)
– E dyta, mesa duket këtu nuk ka një plan të sigurtë për vaksinim, pavarësisht propagandës, sepse nëse do të kishte një plan të sigurtë, s’kishte pse futeshin “pa rradhë” as personaliteti i shquar, as ai i pashquari, por të gjithë prisnin rradhēn. S’ka siguri te plani që futen ca pa rradhë, se përndryshe s’kishte pse t’u hapte ky debat absurd sot.
Gjithsesi, përtej absurdit të debatit që u hap, përtej deklarimeve të dëshpëruara të Skënder Bratajt që personalitetet që do vaksinohen i ka vendosur mjeku i familjes dhe jo Kryeministri; përtej konvencionit politik të Hilës nën moton e famshme rilindase “Kjo është një gjë normale, e kemi parë dhe në filma”, këtu ajo që la shenjë tek unë si individ ishte një gjë tjetër.
Ishte keqtrajtimi.
Edi Rama, i mori ato personalitet dhe pasi i shpaketoi nga mbështjella e tyre gjysëm hyjnore që ata kishin në sytë e publikut, pasi ua krruajti me sqepar dhe atë pak dinjitet që pensioni 50 mijë leksh iu kishte ruajtur, ashtu cullak, i hodhi si mish i gjallë në xhunglën e mërisë së një publiku të mllefosur nga prepotenca dhe mashtrimi. I zhveshi dhe i hodhi aty t’i shqyente publiku.
Dhe fatkeqësia është se e bëri të gjithën, thjesht për një nevojë idiote në një debat teatral politik. Thjesht për t’i përdorur nesër si zëra publikë që do të mbështesin elektoralisht PS-në, në vazhdën e politikës së marketingut për këto zgjedhje që Rilindja ka nisur që më parë me personalitetet e artit që mbështesin Rilindjen.
Si një fëmijë që s’pyet sa e shtrenjtë është një gotë kristali, por e thyen thjesht për kēnaqësinë e zhurmës, ashtu dhe ky, thjesht për një manovër elektorale, përdori një moment dobësie dhe i ktheu ata njerëz, që vërtet kanë kontribuar për emancipimim e këtij vendi, ca “ish-gota kristali” që sot të gjithë i shohin me mllef dhe inat, si abuzues..
Çfarë fatkeqësie!! Sa turp…!!!