shëndetit publik, ka qenë në vazhdimësi kritik ndaj masave të marra nga qeveria shqiptare për parandalimin e pandemisë së Covid-19 dhe menaxhimin e saj. Në një intervistë për gazetën MAPO ai analizon situatën aktuale të pandemisë në vend dhe argumenton se çfarë do të thonë shifrat e fundit të INSTAT për vdekshmërinë shtesë në vitin 2020. Sipas Dashos menaxhimi i pandemisë tregon një dështim total të shtetit, të sistemit shëndetësor për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Krahasuar me Gjermaninë, një vend ku dr. Dasho jeton dhe punon, Shqipëria ka numër të lartë vdekjesh në moshën poshtë 70 vjeç dhe një numër katërfish më të lartë të vdekjeve shtesë, të cilat i faturohen situatës së pandemisë.
Zoti Dasho, si po menaxhohet pandemia e Covid-19 në Shqipëri. U tha në vjeshtë që ishte piku, por shifrat e infektimeve dhe vdekjeve në janar dhe shkurt po na tregojnë një trend tjetër rritës. Çfarë po ndodh sipas jush?
Kemi një situatë epidemiologjike të rëndë. Shqipëria është një nga të paktat vende në Europë për të mos thënë i vetmi, ku nuk ka patur frenim të kësaj vale vjeshtë-dimër të Covid-19, por përkundrazi kemi përkeqësim. Kjo vjen sepse nuk janë marrë masa për parandalimin e Sars-cov-2 si për shembull Gjermania në muajit tetor dhe nëntor me një situatë epidemiologjike dhe incidencë më të ulët se ajo që kemi sot në Shqipëri ka futur dhe ka aplikuar maza kufizuese, që filluan me ndalimin e lëvizjeve të panevojshme. Në hotelet gjermane mund të qëndronin vetëm ata që kishin udhëtime biznesi. Pastaj u mbyllën baret dhe restorantet dhe më pas qendrat e fitnesit.
Pastaj u morën dhe masa të tjera në vijim, si: përshkallëzimi i testimit, futja e testimit të shpejtë masivisht, gjurmimi epidemiologjik, metodat bashkëkohore të trajtimit, puna nga shtëpia për ata biznese që e kishin të mundur këtë, masa gjithëpërfshirëse dhe të bazuara mbi evidenca. Në Shqipëri nuk u morën asnjë nga këto masa.
Në Shqipëri u morën masa qesharake, siç ishte masa e mbajtjes së maskës në publik që s’ka asnjë vlerë, sidomos kur maska që mbahet nuk është profesionale, por është artizanale, prej cope, apo masa e ndalimit të qarkullimit në oraret e natës, që përsëri është një masë pa vlerë. Ekspertët e komitetit tonë nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë bërë parashikime për pikun, të cilat janë rrëzuar, sepse piku natyrisht dhe përhapja e virusit nuk ndalohet me fjalë, por me veprime. Ata për shkak të paaftësisë për të vlerësuar situatën në Shqipëri dhe paaftësisë për të mësuar nga përvojat e mira të botës nuk arritën asnjëherë të zbatonin masat parandaluese të bazuara mbi evidenca dhe në përputhje me situatën epidemiologjike.
Numri i lartë i vdekjeve dhe vdekjet në moshat e reja, çfarë tregojnë? A ka probleme protokolli i mjekimit? Pse shqiptarët preferojnë të mjekohen jashtë vendit?
Në ndryshim nga pjesa më e madhe e vendeve të Europës, ku vdekjet ndodhin në moshën mbi 70 vjeç, për shembull në Gjermani, 90 për qind e vdekjeve ndodhin në moshën mbi 70 vjeç, në Shqipëri kemi një numër të madh personash nën këtë moshë që humbin jetën nga sars-cov-2. Kjo vjen për shkak të disa faktorëve, së pari për mungesë të diagnostikimit të hershëm, se po nuk testove nuk e diagnostikon hershëm sëmundjen.
E dyta për shkak të përafrimit të gabuar që ne patëm, ku në vend që të zbatohej zinxhiri i referimit, pra që të ishte mjeku i familjes ai që i trajtonte fillimisht pacientët me covid, pastaj për t’i referuar në spitalet lokale apo rajonale, vetëm rastet e komplikuara në spitalet e posaçme që u quajtën spitalet covid. Fakti është se në spitalet covid u dyndën të gjithë pacientët javët dhe muajt e para, u ofrua një kujdes jo optimal dhe për pasojë patëm humbje jete dhe në ato grupe popullate që nuk duhej të kishim pasur humbje jete.
Raportet nga INSTAT dhe Gjendja Civile tregojnë për rritje të ndjeshme të vdekjeve në tremujorin e fundit të vitit 2020, edhe pse nuk janë deklaruar si vdekje nga Covid.
Raporti i INSTAT mbi vdekshmërinë shtesë është shumë shqetësues sepse vdekshmëria shtesë është një indikator që po përdoret në të gjithë botën për të treguar efektshmërinë ose mungesën e efektshmërisë për masat anti-covid në vende të caktuara. Për shembull në Gjermani vdekshmëria shtesë është më pak se 50 për 100 mijë banorë.
Kjo do të thotë që personat që kanë humbur jetën nga covid kishin një shëndet me probleme dhe këta persona edhe në mungesë të covidit për një arsye apo një tjetër do ta kishin humbur jetën gjatë vitit 2020. Në rastin e Shqipërisë vdekshmëria shtesë është shumë më e lartë, ajo arrin në mbi 200 vdekje për 100 mijë banorë dhe shpjegimi i saj klinik domethënë se këta persona që humbin jetën nëse nuk do të kishte qenë covid nuk do të kishin vdekur. Kjo tregon se kujdesi për covidin, pra testim, gjurmim, trajtim, ka qenë nën optimalen dhe nuk ka arritur të adresojë sfidën që covidi i ka bërë sistemeve shëndetësore.
A besoni se shumë njerëz po humbin jetën në shtëpi pa marrë mjekimin e duhur ose pa arritur të diagnostikohen?
Fakti që raporti midis vdekshmërisë shtesë dhe vdekshmërisë së raportuar nga covid është 4-5 herë më i lartë në Shqipëri tregon dy tendenca; në radhë të parë kemi tendencën e njohur dhe të faktuar të raportimit me qëllim. Pra, është provuar në media se qeveria raporton vetëm rastet që humbin jetën nga covid vetëm te rastet e diagnostikuar si covid pozitiv ndërsa personat e tjerë me klinikë të qartë covidi, por që kanë rezultat testi negativ, nuk raportohen.
Pra, ky është një nënraportim i qëllimshëm. Problemi bëhet akoma më i madh kur, përveç këtyre personave që vlerësohet se janë rreth dyfish, pranë nëse kemi në vitin 2020, rreth 1200 vdekje zyrtare, duhet të mendohet se janë dhe rreth 1200 vdekje të tjera nga sars-cov-2 negativ, por që janë persona që kanë covid klinik, po testi del negativ për arsye të ndryshme. Kjo është pjesa që në një farë mënyre që nuk mund ta fajësosh për mungesë kujdesi qeverinë, por mund ta fajësosh vetëm për fshehje të situatës reale, pra për mashtrim me shifrat e raportimit.
Por nuk ndalon këtu se nuk kemi vetëm 2400 vdekje nga covid, po kemi vdekjet shtesë që janë 5600, një numër i madh personash që e kanë humbur jetën pa u evidentuar fare, pa u shtruar nëpër spitale. Kjo tregon pastaj për mungesë të kujdesit shëndetësor, për një sistem me nivel shumë të ulët sepse në shekullin 21 nuk ndodh në Europë që personi të humbasë jetën në mënyrë akute pa u përfshirë fare në këtë proces sistemi shëndetësor. Kjo flet për një dështim shumëplanësh, për një dështim total të qeverisë shqiptare ndaj covidit dhe që meriton një analizë shumë të gjerë nga ana e specialistëve të shëndetit publik për të treguar përmasat e vërteta dhe dëmet reale që ka shkaktuar COVID-19 në jetën e shqiptarëve.