Nga Denis Dyrnjaja
Ndërkohë që gëlojnë lajmet me FBI, SPAK, me Narcos e me Ramos, njerëzit me probleme mendore po shtohen pa kontroll, ndërsa rreziku dhe pasojat prej tyre shumëfishohen.
Një i tillë kreu sot një akt barbar në një fshat të Gramshit duke vrarë me sëpatë bashkëshorten dhe vëllain e tij. Të dhënat e para flasin se agresori kishte probleme të shëndetit mendor.
Në këtë situatë depresive në aspektin social/ekonomik rritet edhe rrisku për hatara të tilla. Njerëz me probleme rastis masivisht në mes të kryeqytetit dhe askush nuk kujdeset për ta. Nuk ka qendra të veçanta kurimi, kujdesi apo dhe izolimi.
Ndërkohë që fëmijë e njerëz normalë jetojnë çdo ditë me rrezikun pranë tyre. Në fshatra e zona të thella situata është edhe më dramatike pasi kujtohemi që fenomeni po rëndohet vetëm kur vjen njoftimi i radhës me viktima.
Dikur Shqipëria dalë nga dalë duke rritur izolimin u shndërrua në një burg të madh, ku të gjithë ishim pak a shumë të burgosur, në një farë mënyre. Sot burgu i madh i krijuar për inercinë e sistemit duket sikur është shndërruar në një çmendine të madhe. Pamundësitë për të përballuar jetën, problemet, nevojat familjare, dështimet personale gjithashtu po i “shfazojnë” njerëzit nga mendja e komunitet po mbushen me “vrasës” të heshtur që kryejnë akte dhe hata të pamenduara e të paparashikuara.