Gazment Bardhi ka “mbërthyer” kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutua për punën e Prokurorisë së Posaçme për vitin 2022.
Bardhi e ka gozhduar duke thënë se SPAK-u deri më tani ka zero rezultate në lidhje me inceneratorin e Tiranës, ndërsa për dy inceneratorët e tjerë të Elbasanit dhe të Fierit ka pasur një hetim të pjesshëm.
Ai i është drejtuar duke pyetur Dumanin pse duhet një kohëzgjatje kaq e madhe për një çështje ku mund të bazohet te kontratat, procedurat e kryera që janë të dokumentuara.
“A ka për shembull një arsye se pse prej 4 vtesh nuk ka një përfundim të hetimeve për çështjen e 3 inceneratorëve.
Një nga çështjet që publiku e ushqen në mënyrë të përditshme dhe pret rezultate. Kemi parë pjesërisht një hetim për inceneratorin e Elbasanit, ndërkohë që ka një pjesë tjetër që vijon ende.
Kemi parë një pjesë shumë të vogël për sa i përket inceneratorit të Fierit, po ndërkohë vijon sipas njoftimeve tuaja gjithmonë, çështja për aspekte të tjera, ndërkohë që ka zero rezultate për inceneratorin e Tiranës.
Pa hyrë në detaje konkrete të hetimit, a mund të dimë arsyen e kësaj kohëzgjatjeje kaq të madhe, pra prej katër vitesh hetimi për disa çështje që në fakt lidhen me shqyrtimin e letrave. Pra nuk është se kërkohet ndonjë hetim i thelluar.
Do merrni kontratat, do shqyrtohen procedurat, pra të niset nga kjo: nëse prona e bashkisë, ligji thotë, meqenëse kemi dhe një nga prokurorët këtu, pronë e bashkisë jepet apo tjetërsohet me vendim të Këshillit Bashkiak dhe ndërkohë është tjetërsuar me firmën e kryetarit të bashkisë, këtu duhet të ketë një përgjigje. Ka apo jo shkelje ligji dhe për këtë nuk duhen katër vite hetime në gjykimin tim.
Pra, pyetja e parë është, a ka arsye specifike përveç hezitimit të prokurorëve për të thyer mitin e pandëshkueshmërisë në këtë kohëzgjatje kaq të madhe të hetimit për këto çështje. Pra, mora vetëm këtë”, tha Bardhi.