BERAT/ Shkatërrohet grupi kriminal, sekuestrohen armë dhe drogë

Një grup kriminal që merrej me shitjen e lëndës narkotike cannabis sativa në doza, në zona të qyteteve Berat dhe Kuçovë, është goditur nga forcat e policisë, dhe 4 pjesëtarë të tij janë vënë në pranga.

Sipas njoftimit të policisë, një hetim dymujor me metoda proaktive në kuadër të operacionit policor të quajtur “Vëzhgimi” ka çuar në kapjen dhe arrestimin e shtetasve J.K., 23 vjeç, Gj.B., 26 vjeç, dhe K.D., 18 vjeç, të tre banues në Kuçovë, si dhe shtetasit Sh.I., 19 vjeç, banues në Berat.

Bazuar në provat e siguruara gjatë operacionit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për këta shtetas, pasi dyshohet se vepronin si pjesë e një grupi kriminal që merrej me shitjen e lëndës narkotike cannabis sativa në doza, në zona të ndryshme të qyteteve Berat dhe Kuçovë.

Gjatë kontrolleve në banesat dhe mjetet e tyre të automobilizuar, u gjetën sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, 3 armë të ftohta (2 thika dhe 1 përforcues grushti) dhe municion luftarak.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet e procedurës janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat, për hetime dhe veprime të mëtejshme.

Publikuar nga Publik Media