Për ngjarjen në Elbasan, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Madrid Ulqinaku, policia ka arrestuar një person, ndërsa në kërkim është autori dhe një tjetër bashkëpunëtor.
Horgito Peqini dhe Mandela i Elbasanit
Por, Ejden Dino, i cili u arrestua një ditë më parë ka dëshmuar në polici si ka ndodhur ngjarja. Sipas dëshmisë së Dinos, të rinjtë kishin konsumuar alkool dhe drogë para sherrit me Ulqinakun, i cili u vra me një plumb në kokë prej armës së Horgito Peqinit, vetëm 18 vjeç. Ky i fundit, nipi i kapobandës së Elbasanit, i njohur si “Mandela”
“Pasi kemi pirë disa birra, Klaudio dhe Horgito, të dy kanë konsumuar disa viza kokainë mesa mbaj mend tre katër viza secili. Unë vetë kam pirë vetëm birra dhe nuk kam konsumuar lëndë narkotike kokainë. Kur unë vajta tek shtëpia, pashë që Klaudjani kishte pistoletë mbi divan.
Pasi pimë birrat dhe kokainën që konsumoi Horgito dhe Klaudjani, unë kam bërë një “video live” në rrjetin tim social “Instagram” ku kam adresën.
Pas videos qëndruam edhe pak në shtëpi edhe më pas dolëm. Kur dolëm Horgito mori pistoletën dhe e futi në brez kurse Klaudjani mori një thikë në dorë dhe me pyeti: “…kë do mbash në çantë thikën apo mos e do ti pistoletën…? “…unë i thashë që do mbaj thikën se pistoletë, nuk kam mbajtur ndonjëherë. Futa thikën në çantën marsup që kisha me vete, e cila është e zezë..…” – ka treguar në polici Eiden Dimo, raporton Ora Neës.
Më pas tre të rinjtë kanë dalë dhe kanë marrë rrugën drejt bulevardit, ku pas konflikteve, Horgito Peqini ka nxjerre pistoletën dhe e ka qëlluar.
“Kur ishim në rrugën sapo kalon stadiumin, unë po ecja para me Horgiton kurse pas nesh, në më pak se 1 metër po ecte Klaudjani. Në një moment unë shikoj që 2 persona kishin kapur nga duart Klaudjanin dhe po bënin llafe me atë. Unë dhe Horgito, u afruam direkt. Këto shtetas i njoh sepse i kam në lagje dhe quhen Madrid Ulqinaku dhe tjetri Herion Hamzallari. Madridin e njoh sepse vëllai i tij ka punuar në bahçen e babait tim kurse Herionin e njoh sepse ka punuar më parë tek lokali i babait tim “. Sapo i pashë që po konfliktoheshin me Klaudjanin, u afrova për ti ndarë sepse i njihja të dyja palët. Kur më pa Madriti, mu afrua dhe më tha: “…Ti je çuni i Kelit, ç’do ti me këta…”. Unë thashë: “…jo nuk kam punë me ta por çfarë keni që ziheni…”. Horgito, ndërkohë po i bërtiste Madritit dhe i tha: “Ta q…. r….” dhe sapo tha këtë Horgito, nxori pistoletën nga çanta e zezë, ia drejtoi armën Madritit dhe i qëlloi me armë një herë dhe Madriti u rrëzua në tokë.”
Më pas të tre ne u larguam me vrap nga aty. Dhe Horgito iku me pistoletë në dorë. Klaudjani ishte veshur me një bluzë blu, kurse Horgito kishte kapele të zezë në kokë, bluzë të bardhë, me një marsup të zi dhe pantallonat nuk ia mbaj mend. Unë shkova drejt farmacisë që ka mami im dhe aty i lashë mamit celularin, varësen dhe unazën time. Më pas më kapi një Polic dhe më shoqëroi në Komisariat. Dua të them që nuk e di ku shkoi Klaudjani me Horgiton, sepse nuk i pashë ngaqë vrapova direkt…”.
AUTORI, NIPI I KAPOBANDËS
Horgito Peqini, i riu i akuzuar nga Policia si autor i ekzekutimit të 33-vjeçarit, është nipi i Eduard Peqinit, i dënuar me burgim të përjetshëm. I njohur ndryshe edhe si “Mandela”, ai krijoi në bandë gjatë trazirave të vitit 1997, fillimisht prej tetë vetash dhe më pas numri shkoi në 40. Shumë shpejt ai u bë romi më “i famshëm” i Elbasanit dhe së bashku me tetë anëtarët e bandës së tij janë dënuar për një numër të madh veprash penale. Grabitje me armë, rrëmbim personash e vendosje gjobash, vrasje e deri te djegie e shkatërrim personash, janë krimet që rëndojnë mbi “Mandelën” shqiptar. Pas arrestimit, në një bankë franceze, “Mandelës” i janë sekuestruar rreth 2 milionë dollarë, të cilat “rridhnin” nga trafiku i klandestinëve dhe i prostitucionit.