Edhe pse është një nderim për vendin tim, jam e keqardhur të them…!

 

Flutura Açka

Nëse do t’i kishe bërë Francës atë që na ke bërë neve:

– ta betonoje Parisin, siç ke bërë me Tiranën (ti dhe shokët e tu qysh prej 1990-tës), duke e kthyer në qytet të pajetueshëm,
– ta ktheje Francën të gjithën në Lazarat,
– të promovoje veten me taksat e francezëve si artist i madh, pa menduar qoftë për një të vetëm artist tjetër që kan nevojë të mbështetet,
– të botoje dhe promovoje një librin tënd te armiku më i betuar i Francës (ku do të shaje dhe pështyje francezë, qofshin edhe ‘armiq’ të tu politikë),
– të shpallje në atë kutizën tënde virtuale francezët që nuk të kanë shumë me qejf, në armiqtë e tu dhe t’i rekomandoje të vazhdonin të hanin përshesh diku tjetër, edhe pse je edhe kryeministri i tyre dhe je i detyaruar, së paku ligjërisht, t’i duash të gjithë,
– ta quaje kazan median franceze që fundja të promovoi dhe mbështeti kur ishte zog i lirë, dhe na jepje sadopak shpresë atyre viteve të para kur përhapje si çdo demagog kokëkrisje lirie, 
dhe plot e plot si këto, që do t’i shqyrtojë historia e cila i ndan burrat e shtetit nga burrecët e shtetit, Franca do të të kishte dhuruar mbase ‘dekoratën’ e Robespierit. Edhe ai e nisi si liberator dhe e mbylli si tiran. Por, të mësuar tani me lirinë dhe me durimin shqiptar (si asnje popull në botë), do të të duartrokasim. Të paçim!

Kreditet për foton: Bujar Kapexhiu