Kancelari gjerman Olaf Sholc tha se ishte i hapur për të biseduar përsëri me Presidentin Vladimir Putin dhe bëri thirrje për paqe dhe për t’i dhënë fund konfliktit.
Deklarata vjen pas marrëdhënieve të tensionuara midis Rusisë dhe Gjermanisë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Sholc dhe Putini zhvilluan bisedën e fundit telefonike në dhjetor 2022. Biseda zgjati një orë, ku Sholc i kërkoi Putinit të tërhiqte trupat e vendit të tij nga Ukraina, ndërsa presidenti rus akuzoi Perëndimin se po ndjek politika “shkatërruese” në rajon.
“Thirrja ime e fundit telefonike ishte disa kohë më parë,” tha Sholc për gazetën “Koelner Stadt-Anzeiger, “Por unë po planifikoj të flas përsëri me Putinin në kohën e duhur.”
Sholc tha gjithashtu se Gjermania do të vazhdojë “të mbështesë në mënyrë aktive Ukrainën”, por “në të njëjtën kohë të parandalojë një konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë”.
“Kurrë nuk duhet të veprojmë vetëm, por në koordinim të ngushtë me miqtë dhe aleatët tanë”, shtoi ai.
Në temën e një negociate të mundshme për t’i dhënë fund luftës, Sholc tha se Putini duhej të kuptonte se lufta nuk mund të përfundonte duke bërë “një lloj paqeje të ftohtë” që do ta kthente “vijën aktuale të frontit në “kufirin” e ri midis Rusisë dhe Ukrainës”.
“Bëhet fjalë për një paqe të drejtë dhe parakusht për këtë është tërheqja e trupave ruse”, tha Sholc.