Kiriakos Micotaqis ka një shans të artë në mandatin e dytë

Greqia ka kthyer më 21 maj një faqe të rëndësishme të historisë së saj. Përtej fitores së dukshme të partisë Nea Demokratia (Demokracia e Re), e cila i detyrohet kryesisht kryeministrit aktual Kiriakos Micotaqis, me zgjedhjet e të dielës së kaluar u mbyllën 2 cikle të mëdha: Metapolitefsi dhe falimentimi ekonomik i Greqisë.

I pari është procesi politik që nisi me rivendosjen e demokracisë pas diktaturës së juntës së kolonelëve gjatë viteve 1967-1974, dhe që mund të konsiderohet i përfunduar me refuzimin e arsyeshëm të narrativës që ka dominuar, me shumë pak përjashtime, për dekada të tëra politikën greke.

Humbja strategjike e SYRIZA-s në këto zgjedhje, tregon shumë qartë fundin e tabuve specifike ideologjike. Qytetarët grekë votuan në shumicë për personin që mund ta kryejë punën, përtej ideologjive dhe teorive politike.

Ata nuk janë të interesuar për karizmën apo rimishërimin e figurës së ish-kryeministrit legjendar Andreas Papandreu. Por njëkohësisht, ne pamë në këto zgjedhje zhdukjen e linjave tradicionale midis partive. Ajo çfarë përfaqëson “Nea Demokratia e vërtetë”, është një pyetje që shqetëson më pak njerëz.

Alarmuesit që kishin parashikuar se votuesit e qendrës së djathtë do të qëndronin në shtëpi ditën e zgjedhjeve apo se do të votonin për partitë e ekstremit të djathtë, u përgënjeshtruan.

Po ashtu, në këto zgjedhje ishte hera e parë kur ne pamë kaq shumë simpatizantë të qendrës të majtë, të së majtës tradicionale, ish-mbështetës të PASOK-ut, por edhe anëtarë të të gjitha rrymave politike që të votonin këtë herë për Demokracinë e Re.

Disa e bënë këtë me gjysmë zemre, por megjithatë e bënë. Po ashtu shumë analistë prisnin që votuesit e rinj të përgënjeshtronin sondazhet e opinionit publik dhe të rrisnin mbështetjen për SYRIZA-n. As kjo nuk ndodhi. “Brezi i Tik-Tok”-ut votoi gati në të njëjtën mënyrë si gjithë të tjerët.

Rezultati i zgjedhjeve të 21 majit, tregon gjithashtu se ngjitja e së majtës në pushtet dhe rritja e SYRIZA-s mund të kenë qenë thjesht dhe vetëm një parantezë. Partia e majtë opozitare ishte në thelb produkt i zemërimit popullor ndaj krizës së rëndë ekonomike.

Udhëheqësi i saj, Alexis Tsipras, iu përgjigj në kohën e duhur një imperativi historik dhe shfrytëzoi valën e zhgënjimit publik, duke e forcuar ndjeshëm partinë e tij. Megjithatë, klima e sotme është krejtësisht e ndryshme.

Natyra e përçmon boshllëkun, dhe gara mbi atë se kush do të dominojë opozitën, dhe ndoshta do të ngjitet në pushtet, tani është më e vërtetë. Historia i ka dhënë Micotaqis një mundësi të paprecedentë. Ajo që ai ka arritur është realisht mbresëlënëse.

Në fillim u nënvlerësua, fitoi lidershipin e partisë si një jofavorit, e mundi Tsiprasin në një garë të dominuar nga frika e madhe se kjo ishte e pamundur. Më pas bëri disa gabime fatale, u dëmtua prej tyre, u nënvlerësua sërish, dhe më pas arriti të fitonte përsëri, me një diferencë të pabesueshme.

Tani prej tij do të kërkohet të sfidojë një aksiomë tjetër shumë të përhapur: që mandati i dytë i çdo kryeministri është më i keq se ai i pari. Micotaqis nuk ka rivalë, as brenda dhe as jashtë partisë së tij. Ai po sheh një rritje të qëndrueshme në sondazhe.

Ai e di saktësisht se çfarë duhet të ndryshojë në këtë vend. Kjo është një mundësi historike dhe e paprecedentë. Armiku i tij më i madh mund të jetë mungesa e modestisë dhe e përulësisë që shpesh vjen pas një triumfi, sidomos kur nuk ka njeri në anën tjetër të fushës.

Megjithatë, ajo që ndodhi të dielën ishte shumë më e madhe sesa personalitetet e përfshira në garë.

Rezultati sinjalizoi humbjen e kundërshtuesve të mjerueshëm që përçmojnë ndryshimin dhe përparimin. Një masë kritike votuesish, deklaroi se është gati për ndryshime të mëdha dhe i ktheu shpinën mentalitetit për të kundërshtuar çdo gjë që e prish statuskuonë. Shoqëria po ndryshon, dhe cilido që nuk e kupton këtë do të mbetet prapa./ Përshtatur nga CNA.al

Publikuar nga Publik Media