Kukësi është një nga qytetet ku emigrimi është parë si zgjidhja më e shpeshtë nga të rinjtë dhe kjo padyshim që e ka një arsye. Ky qytet është më i varfri në Shqipëri. Në vitin 2021, kur janë regjistruar edhe të dhënat e fundit, standardi i jetesës në Kukës është sa 19% e mesatares së BE-së.
Ky bilanc vjen duke krahasuar PBB-në për frymë, sipas barazisë së fuqisë blerëse. Gjithashtu, mundësitë ekonomike të kuksianeve nuk janë as sa gjysma e atyre që jetojnë në Tiranë. Nga ana tjetër, Tirana, që ka nivelin më të lartë ekonomik në vend e ka standardin e jetesës sa 42.6 % e BE-së.
PBB-ja për frymë e qytetarëve që jetojnë në kryeqytet në vitin 2021 ishte sa 42.6% e mesatares që konsumon një qytetar i Bashkimit Europian. Korça është një qytet ku turizmi po ndikon në rritjen e ekonomisë, por situata vijon të jetë e vështirë, pasi fuqia blerëse atje është vetëm sa 23.2% e Europës. Të njëjtën përqindje ka edhe Dibra.
Lezha dhe Shkodra e kishin standardin e jetesës sa 22% e BE-së. Në total PBB-ja për frymë në Shqipëri ishte në vitin 2021 sa 31.7% e mesatares së BE-së. Shqipëria vijoi edhe një herë të jetë e fundit në Europë për të ardhurat për frymë edhe në vitin 2021 dhe me fuqinë më të ulët blerëse.
Ndërkohë, që ne mbetemi në vend, vendet e rajonit vijojnë të përmirësohen. Maqedonia e Veriut u përmirësua nga 38% e mesatares së BE-së, në 42%. Për Serbinë treguesi është 44%, për Malin e Zi 48% (nga 45% në 2020-n). Edhe Bosnjë Hercegovina renditet përpara Shqipërisë me 33% të mesatares së BE-së.
Nga ana tjetër, ajo që vihet re është se po zgjerohet akoma më shumë hendeku mes Tiranës dhe qarqeve të tjera të vendit. Pavarësisht se nuk është e mjaftueshme dhe vijojmë të jemi të fundit në Europë, edhe në Shqipëri ka pasur njëfarë rritjeje ekonomike.
PBB-së për frymë në vitin 2021 në Tiranë ishte me 886 mijë lekë dhe shënoi një rritje në terma nominale prej 13,83%, krahasuar me vitin 2020. PBB për frymë e këtij qarku ishte sa 134% mbi mesataren e vendit. Në krahun tjetër në qarkun më të varfër të vendit, Kukësi e kishte PBB-në për frymë 395 mijë lekë, duke shënuar një rritje me 8,74%, krahasuar me vitin 2020.