Kush ishte shqiptari që pagoi zyrtarin e FBI?/ Poli Hoxha: Prezantohej si i FBI-së

Gazetari Poli Hoxha, ka treguar me emër shqiptarin që pagoi Charles McGonigal, ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, të arrestuar në SHBA.

Duke iu referuar dosjes amerikane, Hoxha tha në emisionin “Opinion” se ky ish-oficer i shërbimit sekret shqiptar është Agron Neza, i cili ka punuar në Sigurimin e Shtetit dhe gjatë demokracisë ka qenë pjesë e kësaj strukture deri në vitin 1992.

Gazetari deklaroi se Nexza iku në SHBA dhe kur vinte në Shqipëri prezantohej si person i FBI-së.

“Agron Neza ka qenë ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, pastaj ka vazhduar deri rreth vitit ‘91 – ‘92 me z.Irakli Koçollari në krye të Shërbimit Informativ. Pastaj për një incident që i ka ndodhur këtu, pak a shumë për një ngjarje kriminale, ka shkuar në SHBA ku ka kërkuar dhe azil edhe është aty që prej atij viti.

Nuk ka punuar në strukturat e FBI-së. Gjatë 5 viteve të fundit sa herë vinte në Shqipëri ka qenë person shumë i njohur sepse punonte dhe si promovues për me Shtetet e Bashkuara, për lidhjet etj. Në Shqipëri 5 vitet e fundit prezantohej si i FBI-së, që punonte për FBI. Kjo është fakt nga njerëz afër tij.

Personi tjetër, Dorian Duçka, ka qenë ish-zv/ministër i Energjitikës dhe Infrastrukturës në kohën e qeverisë Berisha-Meta, i propozuar nga LSI, pastaj ka kaluar si drejtor në Berlin i një konglomerati që zihet në gojë dhe në dosje, i një konglomerati kinez për Europën Juglindore dhe e fokusuar tek energjia. Këto janë portretet. Ka dhe C dhe D. që nuk janë identifikuar që ka shumë mundësi të jenë në Shtetet e Bashkuara”, theksoi ai.