Lëvizja Socialiste për Integrim padit në SPAK kryetarin e Bashkisë së Vorës, Gentian Picari. Kallëzimi është depozituar nga koordinatori i LSI Vojo Bregu.
“Sot kemi depozituar në SPAK një kallëzim në ngarkim të kryetarit të Bashkisë Vorë dhe të disa shtetasve me detyra drejtuese në këtë bashki. Këta shtetas dyshohet kanë kryer disa vepra penale si “Korrupsioni aktiv për blerjen e votës” dhe “Shpërdorimi i detyrës në formën e grupit të strukturuar kriminal”, tha Bregu.
Sipas tij, përmes falsifikimit të formularëve po u tjetërsohet vota banorëve të Vorës.
“Qëllimi i këtij grupi kriminal është tjetërsimi i votës së banorëve të Vorës. Më konkretisht, më anë të falsifikimit të formularëve, akteve të verifikimit dhe rivlersimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Këto veprime janë tentativë e pastër për blerjen e votave. Si dhe me anë të dhënies së qerave të tokave publike, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e KQZ”, shtoi Bregu.