Të hapen fashat orare të lëvizjes
Bashkia e Tiranës nuk ka marrë ende një vendim nëse do të ulet apo jo në bisedime me ndërtuesit, pas vendimit këtë fillimvit për të mos lejuar qarkullimin e betoniereve përgjatë orëve të ditës në kryeqytet.
Por, Shoqata e Ndërtuesve këmbëngul që ky kufizim veçse cenon mbarëvajtjen e punës së tyre, pasi nuk janë betonieret ata që bllokojnë qarkullimin rrugor.
“Është krijuar kaos. Nuk punohet natën. Në momente të caktuara, sidomos kur temperaturat shkojnë minus një, këto procese ndërpriten. Në fashat e orareve të ngarkuar nuk kanë lëvizur betonieret, sepse nuk mund të rrijë betonieri tri orë në trafikun sot të ngarkuar edhe pa betonier. Sigurisht që ne respektojmë maksimalisht hapësirën për nxënësit, fëmijët, sepse jemi të gjithë prindër, por duhet të kuptojmë edhe pjesën tjetër. Ne duhet të punojmë duke zbatuar kohëzgjatjen e lejeve që janë dhënë nga Bashkia e Tiranës”, nënvizon drejtori i Shoqatës, Ilir Hebovija, duke parashtruar edhe një alternativë, ose rrugë të mesme. “Ne kemi kërkuar që fashat e orareve të hapen, siç kanë qenë më përpara. Nuk bëhet fjalë këtu për shkarkimin e hekurit apo për elementë të tjerë, të cilat mund edhe të ndodhin natën. Procesi i betonimit, për të gjitha faktorët që kanë të bëjnë me ndriçimin, sigurinë e punëtorëve, sigurinë e procesit dhe shumë elementë të tjerë që duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë palët”, shton kreu i Shoqatës.
Ajo çfarë e shqetëson së tepërmi është jeta njerëzore. Jo të pakta janë humbjet e jetës gjatë punës në orët e ditës. Urdhri i fundit përkthehet si një faktor shtesë për aksident në punë. “Siguria e punonjësve është kryesorja. Nuk mund të marrim përsipër të aksidentohen punonjësit për shkak të kushteve të vështira të zhvillimit të procesit në orët e natës”.
Nga 5 janari, kur u mor vendimi deri sot, ndërtuesit kanë replikuar në distancë me kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili deri tani i ka qëndruar stoik vendimit. Së fundmi, ndërtuesit kanë shkuar deri aty sa kërcënuan se do të dalin në grevë masive, duke bllokuar rrugët me mjete të rënda.
