Lufta mes bandave të Elbasanit Arrestohet vrasësi i Arjan Spahiut

Është vënë në pranga personi i dyshuar si autor i vrasjes së Arjan Spahiut në Bruksel, Belgjikë.

Policia e Shtetit bëri të ditur sot se është prangosur Elio Bitri, i njohur edhe me emrin Bledar Debrova. Ky i fundit është prangosur në Holandë, ndërsa me vete kishte një pistoletë me silenciator.

‘Eljo (Ervis) Bitri alias Bledar Debrova, 35 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Belgjika, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, më datë 31.05.2022, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arrestin për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja me paramendim’, parashikuar nga Kodi Penal i Belgjikës (maksimumi i dënimit burgim i përjetshëm)’, bëri të ditur policia.

Burimet për SYRI.net thanë  se bëhet fjalë për vrasjen e Arjan Spahiut.

Ardit (Arjan) Spahiu, 38 vjeç dhe banues në Elbasan u ekzekutua me tetë plumba në një nga lagjet më të njohura në Bruksel, në bulevardin ‘Edmond Machtens’, pranë lagjes së njohur Molenbeek.

Spahiu vdiq në vend si pasojë e plagëve të marra nga plumbat. Viktima, ka qenë i akuzuar vite më parë si organizator i vrasjes se Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në qytetin e Elbasanit, në afërsi të Urës së Zaranikës. Alikaj dyshohet se ka vrarë 13 vite më parë një të afërm të Arjan Spahiut, ç’ka ka bërë që hetuesit belg të dyshojnë se krimi ka ardhur si pasojë e hakmarrjes.

Një tjetër pistë është edhe ajo e luftës mbi kontrollin e territorit për trafikimin e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në disa qytete europiane. Arjan Spahiu ishte edhe kunati i Erion Alibejt, i cili ndodhet në burg pasi akuzohet si organizator i një sërë vrasjesh të ndodhura në Elbasan.

Alibej akuzohet se ka organizuar vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibejt, që u vra dy vite më parë në Bradashesh së bashku me xhaxhanë e tij, Arben Dylgjerin dhe shtetasin turk Erdal Duranay.

Edhe vrasja e Spahiu është pasojë e këtij zinxhiri krimesh.