Mëmëdhetarë apo shkatërrimtarë?

Sot shqiptarët festojnë 28 Nëntorin, ditën e Pavarësisë.

Rrjetet sociale janë pushtuar nga flamujt kuq e zi dhe urimet për festën e Pavarësisë. Festave të nëntorit ju është shtuar edhe një ditë tjetër pushim, “dhuratë” nga qeveria.

Sot të gjithë janë “mëmëdhetarë”, a thua se po ju digjet barku për Shqipërinë.

Patriotë në një ditë, shkatërrimtarë dhe tradhëtarë në 364 ditë të tjera.

Le të sjellim disa fakte:

A nuk janë të njëjtët “mëmëdhetarë” të cilët hedhin plehërat nga dritaret, hedhin plehrat në rrugë dhe e kanë kthyer mëmëdheun e tyre në një kosh të madh plehrash dhe mbeturinash të shpërndara sa andej-këndej?

A nuk janë të njëjtët “mëmëdhetarë” që morën sëpatat dhe motosegat dhe prenë, shkatërruan dhe dogjën qindra e mijëra hektarë pyje dhe kullota malore sikur të ishin të hasmit?

A nuk janë këta “mëmëdhetarë” që gërryen e shkatërruan lumenjtë për të marrë ca zhavorr?

A nuk janë këtë “mëmëdhetarë” të cilët si shumicë në 50 vjet i shërbyen diktaturës dhe sot në 27 vjet vazhdojnë të shkatërrojnë ç’ju del përpara?

Janë po këta “mëmëdhetarë” që shiten dhe blihen me votën e tyre, të njëjtët që vrasin komshiun për vijën e ujit, një dele apo një dhi. Për një fjalë goje nxjerrin pistoletën të emër të nderit dhe lavdisë.

A nuk janë këta “mëmëdhetarë” të cilët sot dalin e debatojnë më shumë për partitë dhe çfarë ngjyre i përkasin, sesa kush do jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre.

Udhëheqësit e mëmëdhetarëve

Përtej “mëmëdhetarëve” që shkretuan çfarë mbante mbi tokë vendi i tyre në këto 27 vjet janë udhëheqësit e tyre.

Këta e duan atdheun edhe më shumë, e duan kaq shumë sa kanë 27 vjet që e vjedhin dhe e rrjepin çdo ditë, çdo orë, çdo minutë dhe sekondë të saj.

Udhëheqësit “mëmëdhetarë” janë ata që i vjedhin një pasuri prej qindra-mijëra ton naftë çdo vit.

Janë ata “mëmëdhetarë” që e mbuluan Shqipërinë me drogë.

“Mëmëdhetarët” e koncesioneve që vjedhin dhe xhepat e shqipëtarëve.

Udhëheqësit hanë e pinë me krimin, janë pushtet i bandave.

Ende Shqipëria nuk ka ujë 24 orë, ende Shqipëria nuk ka spitale, nuk ka shkolla për fëmijët dhe kjo është vetëm meritë e udhëheqësve tanë mëmëdhetarë, të cilët në krye vjedhin ata të mësipërmit që bëjnë sikur paguajnë taksa dhe këta bëjnë sikur i shpenzojnë për interesat e vendit.

Sa shumë ka ç’të shkruash për “mëmëdhetarët” tanë dhe udhëheqësit “mëmëdhetarë”.

“Mëmëdhetarët” tanë na japin udhëheqësit në parlament, në qeveri dhe në opozitë. Ju japin atyrë të drejtën që të kenë mundësi ta shkatërrojnë edhe më tej këtë vend dhe këta të shohin teatrin e udhëheqësve “mëmëdhetarë”.

Festa le të vazhdojë, debati le të thellohet, 28 Nëntorin na e dhuruan turqit apo e fituam vetë?

Gjermani i fundit iku sot apo nesër?

Luli ka marrëveshje me Ramën apo Rama do më shumë Metën?

Të tre janë hajdutë dhe gënjeshtarë apo vërtetë “mëmëdhetarë”?

Mëmëdheu vazhdon të lëngojë dhe të jetë njësoj.

“Mëmëdhetarët” dhe udhëheqësit e tyre harlisen dhe zgërdhihen dhe gjithçka vazhdon si më parë.

Shqipëria vidhet dhe shkatërrohet 365 ditë të vitit, edhe sot që festohet!