E hënë sot, ftohtë jashtë.
Groshë nuk bëra, se përtova të grija qepën! As vajin nuk e përdora, se pastaj duhet të thekja bukën. Djathi më shikon me inat, teksa rigoni…
Vishem trashë. Dal!
Këpucët nuk fusin ujë dhe këmbët i kam të thata. Ndoshta ngaqë shiu ka pushuar… ndoshta ngaqë nuk jam akoma aq i marrë, sa të dal me shollën e shpuar në ditë me shi. Këpucët, nuk fusin ujë!
Mendoj për rigonin…
Dora e djathtë lodron në xhepin djahtë të pantallonave, me çakmakun që rrotullohet në kapriola të shkurtra, brenda hapësirës klaustrofobike që i zë frymën.
E majta, brenda xhepit të majtë, kruan shpërkujdesur testikulin e majtë. Pa ndonjë motiv.
Do doja t’i jepja një sens këtij gjesti në nënvetëdijen time, por nuk gjej një përse’.
E vetmja gjë që më shpërqendron nga e gjithë kjo, është rigoni…
Mund ta dallosh qartësisht prej hapave që bëj, se jam mendueshëm. Njësoj si qingji i vogël. Edhe pse nuk, “bee beee baaa”.
Retë më ndjekin nga lart. Mbi to, fshehur diku në qiellin gri, hëna. Ajo e di se herët ose vonë, do e gjej ç’kërkoj. Ajo më njeh mirë. Pakkush më njeh si ajo! Jam i bindur që s’do t’a zhgënjej. As kësaj rradhe.
Një aromë mistike më ngacmon nuhatjen.
Rigoni…
Kapërcej si një djalosh, një pusetë të hapur. Edhe kësaj rradhe, fitoj unë! Për sa kohë akoma, do fitoj unë!?
Do vijë edhe dita e pusetës, një ditë! Gjithnjë vjen dita e pusetës, në këtë vend!
Një pllakë e shkelur me këmbën e djathtë, më lag duke më bërë qull në pjesën e brendshme të së majtës.
“Myslym Shyri” design.
Vendos, se ka ardhur koha!
Ka kohë që ka ardhur koha, në fakt.
Ah, ai rigoni…
Nesër do zgjohem herët dhe do qëroj qepët. Groshët do i ziej me zjarr të ulët. Do i ha për drekë me pak bukë të thekur, shoqëruar me djath Tragjasi dhe vaj nga ullinjtë e bregut.
Pastaj do dal dhe do hap një parti’!
Një parti politike, është fiks ajo që duhet për të tretur groshën.
“Një tjetër parti, për më shumë liri” do të jetë slogani!
Kanë të gjithë nga një parti sot. Dua dhe unë të kem partinë time.
Rigonin kam kohë që e kam bërë gati.
Për të marta të gjata shkurti; kur pasi ke ngrënë një tas groshë dhe ke hapur një parti’, mund t’ia fusësh për shtatë palë qejfe, lirisht pordhës… me pak rigon.