Nuk i vuri gjobë shoferit pa rrip sigurimi dhe me telefon në timon, shkarkohet polici

Në rrjetet sociale është bërë virale një video ku shihet një shofer i cili po përdorte celularin gjatë drejtimit të makinës dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit, ndërkohë që polici e pa, por nuk i vendosi gjobë. Pas rastit, drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar duke njoftuar se inspektori I.Ç, me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Lushnjës është pezulluar nga detyra dhe po ashtu ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë.

Njoftimi

Pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje në të cilën shfaqet një drejtues mjeti i cili përdorte celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe pa vendosur rripin e sigurimit, ndërkohë që punonjësi i Policisë e konstatoi por nuk i vendosi masë administrative në përmbushje të detyrave funksionale, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektor I. Ç., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lushnjë. Njëkohësisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësit të Policisë, për shkelje të rëndë. Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën të punonjësve të Policisë duke i garantuar për reagim të menjëhershëm.

Publikuar nga Publik Media