Në mes të Majit 2023, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejet zhvillimore për dy fazat e projektit “Porti i Jahteve Durrës”, duke konfirmuar vendosmërinë e kryeministrit Edi Rama për të betonizuar qendrën e qytetit bregdetar, pavarësisht kritikave të shumta brenda dhe jashtë vendit.

Projekti me vlerën e 2 miliardë dollarëve është në vëmendjen e Brukselit, i cili ka shfaqur skepticizëm ndaj iniciativës personale të Edi Ramës dhe biznesmenit nga Dubai, Mohamed el Alabar.

Në Raportin për Shqipërinë për vitin 2022, të hartuar nga Komiteti për Politikën e Jashtme dhe miratuar më 31 maj 2023, Parlamenti Europian është shumë i qartë lidhur me Portin e Durrësit. Në fokusin e Parlamentit Europian gjenden edhe projektet e hidrocentralit të Skavicës dhe aeroportit të Vlorës, të cilat kanë qenë temë diskutimesh të shumta.

Parlamenti Europian thekson nevojën për transparencë dhe respektim të rregullave të Bashkimit Europian në prokurimet publike, kontratat qeveritare, privatizimin, ndihmën shtetërore dhe procedurat e koncesionit. Po ashtu, europarlamentarët kërkojnë masat e nevojshme për luftimin e korrupsionit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave, evazionit fiskal, ndërtimet e paligjshme dhe anashkalimin e sanksioneve.

Në dokumentin e Parlamentit Europian theksohet detyrimi i autoriteteve për të siguruar transparencë dhe konkurrencë në prokurimet publike në projektet e infrastrukturës, duke përfshirë portin e Durrësit, në përputhje me standardet e BE-së për prokurimin publik sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).
Sa i përket projektit të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, Parlamenti Europian kërkon qeverinë shqiptare të ndalojë projektin që rrezikon biodiversitetin dhe normat ndërkombëtare të mbrojtjes së tij.
Në lidhje me hidrocentralin e Skavicës, europarlamentarët kanë shprehur dyshime dhe kërkojnë përmirësim të transparencës, sjelljes, zbatimit dhe monitorimit të vlerësimeve të ndikimit mjedisor dhe strategjik në projektet me pasoja të mëdha mjedisore dhe socio-ekonomike, duke përfshirë hidrocentralin e Skavicës