Pronat dhe gjyqet e arbitrazhit, qeveria 198 milionë euro detyrime!

Fatura e majme që taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë për kompensimin

Gjyqet e arbitrazhit nga njëra anë, dhe gjyqet e fituara nga ish-pronarët në Strasburg, do t’i kushtojnë shtetit shqiptar jo pak, por plot 198 mijë euro.

Nga gjyqet e fituara në arbitrazh, koston më lartë e kanë prishja e kontratës me “JV Copri”, aktor nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, si edhe çështja “Becchetti”, të cilët së bashku zënë edhe pjesën dërrmuese të detyrimeve.

ARBITRAZHET

Janë rreth 176 milionë euro detyrime që qeveria ka ndaj disa kompanive, të cilat kanë fituar betejën ligjore në arbitrazh, duke i dhënë një mësim të vyer qeverisë se s’mund të ndryshojë rregullat e lojës sipas orekseve të momentit. Në totalin e detyrimeve të faturuara përfshihen detyrimet faktike, por edhe kontingjente apo të mundshme që shteti ka ndaj këtyre shoqërive. Referuar relacionit të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, zgjidhja e kontratës në mënyrë të njëanshme me kompaninë greke “JV Copri”, e cila ishte kontraktuar për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, ka një faturë rreth 43 milionë euro përfshirë këtu edhe kostot apo shpenzimet gjyqësore.

Më shumë se 108 milionë euro janë detyrimet kontingjente ndaj shoqërisë “Hydro” me bashkëpronarë sipërmarrësin italian Franceso Becchetti. Zanafilla e konfliktit daton në 2015 me mbylljen asokohe të televizioni “Agon Channel” dhe procedimin penal me akuzën e pastrimit të parave dhe evazion fiskal. Por, për sipërmarrësin italian, Becchetti, sulmi ndaj medias ishte i qëllimtë për shkak të linjës editoriale të televizionit. Vendosja e shiritit u pasua me seancat gjyqësore, për të përfunduar me një vendim suprem që do tu kushtojë në fund të ditës, miliona euro taksapaguesve shqiptarë. “Duke pasur parasysh efektet e qenësishme financiare që rëndom shoqërojnë këto vendime, ato vlerësohen me risk të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit”, vihet në dukje edhe në relacionin e draft-buxhetit 2023.

PRONAT

Por, një barrë e rëndë në buxhet janë edhe pronat. Fondi i pamjaftueshëm, por edhe mungesa ndër vite e një skeme efektive kompensimi, por edhe të pranuar nga pronarët, ka bërë që procesi të zvarritet. Të gjendur në këto kushte, një pjesë e pronarëve i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut për të kërkuar të drejtën që iu takon. Vetëm për 11 çështje të shqyrtuara fatura e shtetit shqiptar është mbi 21 milionë euro, gati sa gjysma e fondit vjetor që vendoset në dispozicion për kompensimin e pronave nga ATP-ja. Sipas relacionit, mbi 13 milionë euro është fatura vetëm për një nga aplikimet.

“Sharra dhe të tjerë kundër Shqipërisë” ia ka dalë të fitojë betejën ligjore me qeverinë. Në fund të gjykimit Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut i ka njohur të drejtat mbi pronën familjes Sharra, duke gjobitur shtetit shqiptar me mbi 13 milionë euro. Në dokument thuhet po ashtu që për shkak të kostos së lartë, Qeveria është duke shqyrtuar mundësinë e pagesës me këste. “Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka respektuar në vazhdimësi të gjitha vendimet e miratuara nga GJEDNJ përmes zbatimit të VKM-ve respektive miratuar në mbështetje të tyre, me përpikëri dhe brenda afateve strikte të përcaktuara prej këtij organi.

Kjo, duke konsideruar faktin se kur pagesat nuk kryhen brenda afatit tre mujor nga data kur vendimi përkatës merr formën e prerë, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e një kamatë-vonese për çdo ditë vonesë. Sidoqoftë, për garantimin e shlyerjes në kohë të këtyre vendimeve, MFE-ja ka rekomanduar vazhdimisht përdorimin e të gjitha kanaleve të mundshme institucionale dhe procedurale, brenda hapësirave që siguron kuadri ligjor në fuqi, duke sugjeruar skedulimin e detyrimit financiar, sipas mundësive të buxhetit të shtetit me këste, në negocim me përfituesit”, thuhet në relacion. Të tjera çështje që kanë fituar betejën ligjore në Strasburg janë edhe “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, “Strazimiri kundër Shqipërisë”, “Habilaj kundër Shqipërisë dhe Danushi kundër Shqipërisë” etj.

PROCESI NË NGËRÇ

Pas ardhjes në pushtet, qeveria “Rama” nisi reformimin e plotë të bazës ligjore për kompensimin e pronarëve. Por, edhe pse kanë kaluar gati 8 vite nuk ka ende një skemë të konsoliduar për të çuar deri në fund këtë proces që mban peng më shumë se 25 mijë pronarë. Në dy vitet e fundit nuk është kryer asnjë pagesë, me përjashtim të 206 familjeve që kanë aplikuar me kërkesë të veçantë dhe çdo fillim viti kanë marrë këstin që ju takon. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në shkurt të 2021, e cila rrëzoi skemën e kompensimit, një grup pune i posaçëm ka nisur nga puna për hartimin e ndryshimeve ligjore. Por, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, nuk dihet ende se kur pritet të kalojë për miratim drafti, për t’i hapur rrugë edhe rifillimit të procesit.