Putini në panik nga eksodi masiv

Sapo Vladimir Putin njoftoi mobilizimin e pjesshëm të forcave të armatosura të mërkurën, ruë të panumërt filluan të kërkonin mënyra për t’u larguar nga vendi. Kërkimet për diçka të tillë shkuan në qiell, çmimet e fluturimeve shpërthyen.

Tani luftënxitësi është në panik nga një eksod masiv- dhe po reagon me gjithë ashpërsinë: Ligji për mobilizimin në Rusi ndalon udhëtimet për rekrutët!

Në të thuhet: “Shtetasve të regjistruar si rezervistë në regjistrin ushtarak u ndalohet të largohen nga vendbanimi i tyre që nga momenti i mobilizimit pa lejen e komisariateve ushtarake dhe të organeve ekzekutive përgjegjëse për rezervat”.

Mobilizimi i pjesshëm, i cili sipas ekspertëve mund të përfundojë në një dështim katastrofik, po trondit popullatën. Vëzhguesit flasin për panik në vend.

Rezultati: Pas njoftimit të Putinit se do të dërgonte 300 mijë ushtarë të rinj në Ukrainë, gjithnjë e më shumë rusë nuk donin gjë tjetër veçse të largoheshin në vend që të shkonin në front. Radhë të gjata trafiku janë krijuar në kufij. Dhe sipas të dhënave të internetit, kërkesa për fluturime me një drejtim ka shpërthyer.

Statistikat nga Google Trends tregojnë për një rritje të kërkimeve në Aviasales, uebsajti më i njohur rus për shitjen e biletave ajrore. Fluturimet direkte nga Moska drejt Jerevanit në Armeni- ku nuk kërkohen viza për rusët- janë shitur të gjitha. Fluturimet më të lira nga Moska për në Dubai tani kushtojnë më shumë se 5 mijë euro, sa rreth pesëfishi i pagës mesatare mujore ruse. Dhe shembulli i Stambollit: Udhëtimi që kushton rreth 500 euro, papritmas tani shkon së paku 2500 euro.

Çmimet për destinacione të tjera, si Beogradi, kanë shpërthyer gjithashtu.

Dëshmitarët në median sociale tregojnë se rusët e parë që donin të largoheshin nga vendi, po kthehen në kufi. Kamerat tregojnë një radhë të stërgjatë trafiku drejt Finlandës- lidhja e fundit me Perëndimin.

Edhe qytetarët e Moskës nuk janë më të sigurt nga mania e luftës e Putinit. Banorët paralajmërojnë se patrullat ushtarake janë vënë në lëvizje, duke i ndaluar njerëzit në rrugë dhe duke bërë thirrje për shërbimin ushtarak. Portali kritik i Kremlinit ‘Ku është Rusia sot?’ citon një dëshmitar okular: “Ushtarakët sapo morën tre djem nga rruga dhe i futën në një njësi ushtarake”.

Një tjetër çmenduri: Kërkimet në internet për pyetjen: si të thyesh krahun, janë rritur gjithashtu në mënyrë dramatike. Për shumë rusë, perspektiva e dhimbjes dhe disa javëve me allci duket ende më e mirë se sa të digjen deri në vdekje në front.