Rama i ashpër me diplomatët e huaj: Mos reagoni për vendimet e gjykatave

Kryeministri Edi Rama u tregua i rezervuar në vlerësimet e tij për Gjykatën Kushtetuese në ceremoninë e organizuar me rastin e 30- vjetorit të krijimit të saj.

Rama e cilësoi Kushtetuesen një ngrehinë me dritë dhe hije, me vendime të diskutueshme.

“Falë Gjykatës Kushtetuese kemi sot një pavarësi të pushteti gjyqësor që manifestohet edhe si arbitraritet por jo nënshtrim ndaj pushtetit. Ngrehinë me dritë dhe hije, me vendime të diskutueshme, por edhe shkëlqim, njolla të pajustifikueshme si marrëveshja e detit, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën”, tha Rama.

Një dozë kritike kryeministri Edi Rama ka hedhur ndaj diplomatëve të huaj në eventin e organizuar për të shënuar 30 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i qeverisë u shpreh se diplomatët e huaj në Shqipëri kanë luksin ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave, por pa përmendur askënd nga ambasadorët me emër.

“Kemi përballë dhe sytë e diplomatëve të huaj, të cilët kur vjen fjala te drejtësia duket se nuk ndjehen të huaj në territoret e saj. Madje kanë dhe një luks të veçantë që kur të duan mund ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave çka për mua nuk është hiç e këshillueshme lëre pastaj e imitueshme. Një fjalim përgëzues dhe linear mbetet në kufijtë e të pamundurës. Një fjalim kritik mbetet i pakëshillueshëm sa imitimi i diplomatëve që emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave. Kështu dhe këtij kurthi do t’i shmangem”, u shpreh kryeministri.