Rama pranon gabimet nga Durrësi/ Udhëheqësa të PS-së na kanë dhënë kosto, nuk jam krenar
2023-05-26
Kryeministri Edi Rama pranoi gabimet e Partisë Socialiste gjatë një takimi falenderimi që ka mbajtur këtë mbrëmje në qytetin e Durrësit.
Rama tha se ka disa gjëra për të cilat nuk është krenar dhe do donte të mos ishin bërë.
Ai deklaroi se këto gabime janë kryer nga udhëheqësa të Partisë Socialiste, persona që kanë marrë gjithçka nga PS, që kanë pasur detyra të larta dhe drejtimin e agjencive të rëndësishme.
Megjithatë, kreu i qeverisë nuk përmendi emra konkretë, por theksoi se është i vetëdijshëm për gjithçka ka shkuar keq.
“Kemi bërë gabime. Kemi bërë edhe gjërat për të cilat unë nuk jam krenar dhe do të dëshiroja shumë që të mos i kishim bërë. Nuk flas për ju që jeni këtu, as për Anin, as për Entonin. Flas për udhëheqësa të Partisë Socialiste. Flas për njerëz që kanë marrë gjithçka nga PS, por i kanë dhënë kosto në të gjithë këto vite. Flas për njerëz që kanë marrë detyra të larta, drejtimin e agjencive të rëndësishme dhe kanë turpëruar besimin dhe mbështetjen, flamurin tonë, familjen tonë.
Në fund të ditës përgjegjësia është individuale, por një familje, edhe familja e vogël, edhe familja e një kompanie apo skuadre sporti, edhe familja e një partie nuk mban përgjegjësi për atë që bën një individ që del nga shinat, por për mënyrën si reagon në raport me problemin. Që do të thotë merr masa dhe vetëdijësohet që ajo gjë nuk do të përsëritet dhe të tjerët duhet të nxjerrin mësim. Ne kemi shumë mësime për të nxjerrë që të mund ta meritojmë këtë besim dhe këtë mbështetje”, theksoi Rama.
Drejtuesi politik i qarkut të Durrësit, Ardian Çela ka treguar arsyet se përse Partia Socialiste pati një rezultat të suksesshëm në bashkinë e Durrësit, ku mori një tjetër mandat Emiriana Sako.
Gjatë turit të falenderimit të kryeministrit Edi Rama, Çela tha se një nga arsyet e suksesit janë projektet dhe investimet që PS ka nisur në qytetin bregdetar.
Një tjetër arsye, sipas tij është prezenca e Ramës si deputet i qarkut Durrës dhe gjetja e Sakos si kandidate e PS-së.
“Ky moment sa ç’është moment falenderimi, është dhe mirënjohjeje për të gjithë ju që kontribuat në arritjen e kësaj fitoreje. Secili nga ne mund ta thotë që ja dolëm, u kry. Ka disa arsye pse ja dolëm, por do përmend dy-tre.
Së pari, rëndësia që i është dhënë Durrësit dhe qarkut Durrës në shkallë kombëtare nga kryeministri Edi Rama, me të gjithë projektet dhe investimet të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Arsye tjetër është potenciali i madh politik që i është dhënë qarkut Durrës nga prezenca e kryeministrit Edi Rama, deputet në qarkun Durrës. Pjesa më e madhe këtu ka bërë disa beteja elektorale dhe ne e dimë sa e vështirë është të përsërisësh fitoren. Madje monotonia e riskon atë.
Gjetja e Anit. Një nënë, një grua që nuk shfaq protagonizëm, por protagonizmin e merr me punë. Të gjithë këtu e dinë se si dhe sa Ani, punon, punon, punon dhe punon. Dhe kjo gjetje ishte “asi nënë mëngë” për strategjinë e arritjes së fitores”, theksoi ai