Sipas Eurostat, të ardhurat për frymë në Shqipëri janë sa 32% e mesatares së Europës, por e ushqimeve, veshjeve, paisjeve elektroshtëpiake, etj, janë të ngjashme, ose edhe më të shtrenjta se ato të BE.

Eurostat ka publikuar indeksin e çmimeve për mallrat dhe shërbimet për vendet e Europës, ku rezulton se në Shqipëri, çmimet në tërësi janë sa 61% e mesatares europiane. Kjo është përqindja më e lartë nga vendet e rajonit. Kur vjen puna te ushqimet, për të cilat familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve në buxhetin e tyre (rreth 42%, nga 13% që është mesatarja e Bashkimit Europian), çmimet janë pothuajse njësoj si në Europë dhe më të shtrenjtat në rajon.
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Hungari, Poloni, Rumani, Bullgari, ndërsa Maqedonia e Veriut i ka më të lirat në rajon.
Edhe veshjet dhe këpucët në SHqipëri janë më të shtrenjta, me rreth 96% të mesatares së BE-së. Gjithashtu, përsa i përket komunikimit, Shqipëria është 108% më e shtrenjtë sesa mesatarja në BE.
Më lirë Shqipëria duket të jetë vetëm tek restorantet, të cilat janë sa 46% e mesatares në Europë. Ndërkohë më shtrenjtë nga të gjitha kushton blerja e pajisjeve shtëpiake (120%) dhe atyre elektronike (110%).
Edhe Pajisjet personale të transportit janë më të shtrenjtat në rajon (86% e mesatares së BE-së).
