Richard Grenell, shefi i inteligjencës në administratën Trump, u pyet mbrëmjen e sotme për shpalljen “non-grata” të kreut të PD-së, Sali Berisha.
Grenell tha në një dalje televizive se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është shumë i politizuar.
Ai deklaroi se i ka kërkuar Blinken prova për Berishën, por nuk ka parë asnjë të tillë.
“Berishën nuk e kam takuar asnjëherë. Unë dhe shumë konservatorë jemi shumë të shqetësuar me Blinken, është shumë partiak, shumë i politizuar, është e trishtë ajo që i ka bërë DASH-it. Ai shumë herë e tha kam informacione për Berishën, do të vendosim partinë konservatore të Shqipërisë në sanksione dhe shumë njerëz u çuditën. Ne kërkuam prova, i kërkuam DASH-it informacione. Unë isha drejtor në detyrë i Byrosë Kombëtare, unë kisha edhe një rol të dyfishtë si ambasador në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm në Ballkan. Si drejtor në detyrë u përfshiva shumë në informacione për Ballkanin.
Unë do ta dija diçka të tillë për atë që po ndodhte në Ballkan me partinë konservatore. Nuk e pashë kurrë. Nuk po sugjeroj se nuk ka, por unë nuk pashë diçka të tillë. Mendoj se është e rëndësishme që DASH t’u përgjigjet anëtarëve të Kongresit Republikan që kanë kërkuar ta shikojnë këtë informacion. Kjo është një akuzë e rëndë. Kur DASH shkon pas një partie konservatore në një vend tjetër dhe bën këto akuza dhe republikanët e Kongresit thonë ku janë këto prova, ku është ky informacion na i tregoni edhe ne dhe ata nuk e kanë bërë, ke krijuar një dyshim”, u shpreh Grenell.
Ish-shefi i Inteligjencës u pyet nëse hetimet për kreun e PD-së nisën që në administratën Trump, por e mohoi.
“Unë nuk pashë asgjë të tillë. Anëtarët e Kongresit duhet të informohen. Vendimi qartazi u mor nga zoti Blinken. U detyrohemi anëtarëve të Kongresit që të bëjnë përpjekje dhe të marrin përgjigje”, theksoi ai.