Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e infermieres Sidorela Çela dhe sanitares Rukie Hoxha, për tu liruar nga burgu. Vendimi është dhënë pak më parë.
Avokatja e tyre Antoneta Sevdari ka thënë se Prokuroria nuk ka pasur prova që të arrestuarat kanë bashkëpunuar me Tire Alldervishin, sanitaren që prezantohej si infermiere te “Shefqet Ndroqi”.
“Prokurori mbështeti vendimin e gjykatës. Në fakt, në vendimin e gjykatës kishte disa shprehje të paprecedenta. Gjykata thoshte se “duhet të gjenden veprimet e kundraligjshme të personave”. Që të marrësh në burg një person duhet të kesh dyshime të arsyeshme. Prokuroria nuk kishte asnjë provë.
Në vendimin e gjykatës ka dalë se nuk ka prova që këto shtetase të kenë lidhje me Tire Alldervishin”, tha avokatja Sevdari.
Ndërkohë, për infermieret Sheqerije Koçi dhe Mira Bushi Gjykata nuk ka marrë asnjë vendim pasi nuk është depozituar apelimi i vendimit nga avokatet e tyre apo dhe nga ato vetë.