Shpërthime pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia-s të pushtuar nga rusia!

Moska e Kievi akuzojnë njëra-tjetrën

Centrali i energjisë bërthamore në Zaporizhzhia, i cili është nën kontrollin rus, u trondit nga bombardimet të dielën, ndërsa agjencia e OKB-së për energji atomike tha se sulme të tilla rrezikonin të shkaktonin një fatkeqësi të madhe bërthamore.

Mbi 10 shpërthime tronditën centralin më të madh bërthamor në Evropë të shtunën në mbrëmje dhe të dielën, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. Moska dhe Kievi fajësuan njëri-tjetrin për goditjet ndaj objektit.

“Lajmet nga ekipi ynë dje dhe sot në mëngjes janë jashtëzakonisht shqetësuese,” tha Rafael Grossi, kreu i Agjencisë për Energji Atomike, ekipi i së cilës në terren tha se kishte pasur dëmtime në disa ndërtesa, sisteme dhe pajisje në kompleks. Ai i quajti “të papranueshme” sulmet.

“Kushdo që qëndron pas kësaj (shpërthimeve), duhet të ndalet menjëherë. Siç e kam thënë shumë herë më parë, ju po luani me zjarrin!”

Goditjet e përsëritura të uzinës në Ukrainën jugore, të cilën Rusia e mori nën kontroll menjëherë pas pushtimit të saj në shkurt, kanë shtuar shqetësimin për mundësinë e një aksidenti të rëndë vetëm 500 km larg vendit të aksidentit më të rëndë bërthamor në botë, ai i Çërnobilit në vitin 1986.

Centrali bërthamor i Zaporizhzhias siguronte rreth një të pestën e energjisë elektrike të Ukrainës përpara fillimit të agresionit nga Rusia më 24 shkurt dhe është detyruar të operojë me gjeneratorë rezervë disa herë.

Reaktorët e tij janë mbyllur, por ekziston rreziku që karburanti bërthamor të mund të mbinxehet nëse energjia që drejton sistemet e ftohjes ndërpritet. Goditjet ndaj kompleksit kanë ndërprerë vazhdimisht linjat e energjisë.

Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrin për sulme ndaj centralit në disa raste gjatë konfliktit dhe bënë të njëjtën gjë edhe të dielën./ Marrë nga VOA