SILDA ANAGNOSTI :”Na marrsh të ligat, Ben! Lopët pjellin, ne gratë sjellim në jetë engjëj”

Deklarata e ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami një ditë më parë në Opinion ngjalli reagim të madh, veçanërisht në rrjetet sociale, kur tha se Jozefina Topalli u hoq nga lista e kandidatëve për deputetë të PD-së, për tu zëvendësuar nga gra pa karrierë që kanë “pjellë” 3-4 fëmijë.

"Na marrsh të ligat, benimam! Lopët pjellin, ne gratë sjellim në jetë engjëj"

Pikërisht fjala e rëndë me të cilën ai ju drejtua grave që kanë sjellë në jetë fëmijë, u bë shkak i revoltës sociale.

Kandidatja për deputete në listat e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Silda Anagnosti, i është drejtuar me fjalën “benimam”, të përjashtuarit nga listat e PD-së, duke i folur si një grua që edhe pse në karrierë e konsideron veten shtëpiake, nënë e tre fëmijëve që i bën një kritikë të fortë për ‘pjellorinë’ e përdorur nga Imami.

Ajo flet për një lojë të pabarabartë që bëhet mes grave dhe burrave kur vjen puna tek diskutimi mbi profesionalizmin, i cili sipas Anagnostit nuk ka asnjë arsye pse të lidhet me organet riprodhuese të gruas.

Na marrsh të ligat, benimam!

I nderuar benimam,

Unë jam një grua. Kam qenë shtëpiake gjithë jetën megjithëse kam punuar me kohë të plotë, sepse ti dhe benimamët e tjerë i shikoni punët e shtëpisë si punë grash. Kam lindur tre fëmijë. Nuk i kam pjellë, benimam, se lopët pjellin. Gratë sjellin në jetë fëmijë, ëngjëj. Fatkeqësisht disa kur rriten bëhen djaj të këqinj.

Kështu pra, benimam, unë kam sjellë në jetë tre fëmijë, por kam një lajm për ty dhe benimamët e tjerë, numri i fëmijëve nuk ndikon as në profesionalizëm dhe as në shëndet mendor.

Po pse, o benimam, pse. Pse duhet ta lidhësh figurën e gruas me organet e saj riprodhuese? Se nuk është lojë e drejtë, jo për gjë, nëse ke guxim të luash.

Pra, benimam, dhe ju benimamët e tjerë, nëse një grua sjell në jetë fëmijë dhe sa fëmijë sjell në jetë, është puna e saj. A keni guxim të diskutoni profesionalizmin dhe aftësinë e një gruaje siç diskutoni ato të një burri? Se me thënë të drejtën, atë që ti dhe benimamët e tjerë e bëni nën këmishën që jua hekuros një shtëpiake, unë dhe shoqet e mia e bëjmë akoma më mirë, madje edhe duke hekurosur, edhe duke rritur 3-4 fëmijë.

Ndaj na marrsh të ligat, benimam!”, shkruan në rrjetin social Facebook, Anagnosti.