Ka përfunduar java e 11-të e Kategorisë Superiore në vendin tonë, me ndeshjet që kanë prodhuar një numër të madh golash, pasi në 5 sfida portierët u detyruan ta nxjerrin topin nga porta 18 herë.
Supersfida e ditës së sotme ishte ajo mes Partizanit dhe Kukësit e luajtur në Elbasan Arena, e cila përfundoi me rezultatin surprizues 4-1 në favor të kryeqytetasve. Asani, Bitri, Bardhi dhe Mala ishin autorët e golave për të kuqtë, ndërsa golin e nderit për kuksianët e shënoi Ibraimi me penallti në minutat shtesë. Një fitore që e ngjit Partizanin në vendin e dytë me 19 pikë, 6 pas Vllaznisë kryeseuese, ndërsa Kukësi zhytet në një krizë rezultatesh, pasi janë 3 ndeshje radhazi që kuksianët nuk po mund të fitojnë, duke iu larguar objektivit të vendosur në fillimin e sezonit, fitimit të kampionatit.
Një tjetër sfidë interesante ishte edhe ajo mes Teutës dhe Tiranës, e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, e cila përfundoi me rezultatin 1-1. Ishte Grent Halili ai që hapi ndeshjen me golin e tij në minutën e 2-të, ndërkohë që vendasit barazuan në minutën e 70-të me Dejvid Kapllani. Vend ii 3-të në renditje për durrsakët me 17 pikë dhe me rekord barazimesh, pasi kanë 8 në 11 ndeshje, ndërkohë që kampionët në fuqi të Tiranës zbresin në vendin e 6-të me 15 pikë pas 3 barazimeve radhazi.
Vllaznia qëndron me meritë në krye të klasifikimit dhe këtë e tregoi edhe në ndeshje e sotme, ku shkatërroi me rezultatin 5-1 Skënderbeun në ndeshjen e luajtur në “Loro Boriçi”. Imeri pas vetëm 37 sekondash lojë dhe 4 gola nga Ardit Hoxhaj vulosën fitoren e shkodranëve, ndërkohë që për Skënderbeun golin e nderit e shënoi Mensah. Me 25 pikë shkodranët gjenden në krye, ndërsa Skënderbeu rrezikon seriozisht të bjerë nga kategoria, pasi gjendet në vendin e parafundit me vetëm 6 pikë.
Kastrioti konfirmohet surpriza e këtij sezoni, pasi këtë javë mposhti edhe Laçin me rezultatin 2-1 në ndeshjen e luajtur në Kamzë. Ndeshjen e vendosi një goli Prodanit në minutën e 24, ndërsa miqtë humbën edhe një penallti në pjesën e parë. Krutanët ngjiten në vendin e 5-të me 16 pikë, ndërsa Laçi zbret në vendin e 7-të në kuotën e 14 pikëve.
Derbi i Jugut shkon në favor të Bylisit, me ballshiotët që fitojnë me rezultatin 3-1 ndaj Apolonisë. Një fitore e merituar dhe shumë e rëndësishme për ballshiotët, që fitojnë ndaj një rivali direct për mbijetesë dhe përfitojnë edhe nga humbja e Skënderbeut. Dygolësh i Beji dhe goli i Hadrojit i siguruan fitoren vendasve, ndërsa ishte sërish një lojtar i Bylisit që shënoi për fierakët, pasi Ymeraliaj realizoi në portën e tij një autogol të pafat. Ballshiotët gjenden në vendin e 8-të në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Apolonia mbyll klasifikimin me vetëm 5 pikë.
Renditja e Kategorisë Superiore: