– Mos nuhat bishtin por kryet e peshkut! – qesëndisi peshkatari blerësin
– Po nuhas a ka mbërrit deri ke bishti, se që koka i asht qelb, kjo shifet me sy.
Kjo barcoletë shkodrane më erdhi këto ditët e Tires.
Kush tha se truri është organi i të menduarit? Shkenca ka provuar që testosteroni, për shembull ti ndryshon me magji mendimet. Stomaku gjithashtu. Tek ne edhe mytha. Kam parë “filozofë” që na ftojnë të mos i futim të gjithë në një thes. Kam lexuar edhe stomakozofë (pra ata që mendojnë me stomakun që ua mbush – me bukë a me shpresë Rilindja ) që na kujtojnë sakrificat dhe heroizmat e mjekëve gjatë kësaj pandemie…
Kthehem tek “bishti i qelbur i peshkut” Tire. Pikërisht se shqiptari e njeh sistemin tonë shëndetësor dhe është pajtuar me të, kur e zë halli nuk pyet shumë: ul kokën, mbush xhepin dhe fillon e darovit pa dallim: që nga roja tek dera deri tek shefat.
Fatkeqësisht për Tiren, këtë rradhë klienti vdiq dhe familjarët folën. Përndryshe “heronjtë” do vazhdonin “sakrificat” të patrazuar.
Kush ka patur hall në spitale e di mirë se, që nga uji për të pirë e deri tek ilaçet BLIHEN me para në dorë. Përfshi këtu edhe analiza, grafi, skaner, biopsi, fizioterapi etj etj, për të cilat “heronjtë” i mbushin recetën klientit a të afërmit të tij duke e porositur: “I thuaj ‘më çoi doktor Çimi’ ë!! Mos harro”!
Krimi i “heronjve” me bluza të bardha që “sakrifikojnë” është 1. Heshtja 2. Nënshtrimi ndaj këtij realiteti 3. Pjesmarrja në këtë skemë kriminale të ndërtuar në Shqipëri. Nëse një si Ilir Allkja që e denoncon këtë sistem pushohet nga puna se “shkel etikën”, këta që “ruajnë etikën” dhe heshtin…. janë të kënaqur me copën e bukës?
Jo! Madje kanë gëlltitur edhe fyerjet e poshtërimet e Ramës vetëm e vetëm për ta mbajtur atë bluzë e cila sjell më shumë para nga jashtë borderosë sesa nga rroga. Mjekë me 500 euro rroga, me apartamente , shtëpi plazhi, makina të shtrenjta, fëmijë që studiojnë jashtë, studio e klinika private? Jooo!!
Natyrisht, sistemi ekstremisht i korruptuar , në një farë mënyre i ka rrëmbyer edhe ata. Por duke qenë teorikisht pjesa më e privilegjuar e shoqërisë ( meqë shpëtojnë jetë, bëjnë derman, kanë dije e kulturë më shumë se të tjerët, kanë influencë në shoqëri e politikë ) janë më shumë fajtor se kushdo tjetër. Nëse i janë dorëzuar sistemit që i tërheq për kafshate buke, heronj jo e jo, por as servilë nuk meritojnë të quhen. Janë masha që në këtë pandemi po përdor pushteti për të na shtyrë urat e zjarrit, djegur demokracinë dhe instaluar totalitarizmin.
Edhe dy fjalë për “heroizmin”, “gjigandët” , “të mëdhenjtë” e superlativave kësodore.
Mizës i duket mytha e buallit sa gjysma e botës, ngaqë është aq e vogël, jo se mollaqja është e madhe. Njerëz të veckël, me botë të ngushtë e të paekuilibruar i ngrenë kultet me përmasa qiklopike, po ashtu siç i rrëzojnë. Madje edhe pa e parë a njohur mirë atë që po hyjnizon. Natyrisht, ngjitur në byç të buallit syri i mizës vetëm byçën rrok në të 4 anët e horizontit.