Al Jazeera English i Katarit, një kanal televiziv 24-orësh në gjuhën angleze, ka raportuar për trenat frigoriferikë të mbushur me trupa të ushtarakëve rusë të vrarë gjatë pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës.
“Kostoja e vërtetë e kësaj lufte për Rusinë – çanta trupash të padeklaruara të grumbulluara në trena frigoriferikë”, thuhet në raportin e Al Jazeera English.
Vihet re se në një çantë që mbante trupin e një ushtaraku elitar rus, u gjetën bizhuteri, të dyshuara të vjedhura nga civilët ukrainas në rajonin e Kievit.
“Ukraina i trajton armiqtë e vdekur më mirë se sa ata trajtuan civilët. Ata do të mbahen për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Qeveria do të vendosë sepse Rusia refuzon t’i marrë ata. Ajo nuk dëshiron. Çdo trup është provë e një krimi lufte. Kështu që nëse refuzojnë t’i marrin, Ukraina do t’i varrosë me shpenzimet e saj”, tha koloneli i Ushtrisë së Ukrainës, Volodymyr Liamzin.
Zyrtarisht, Rusia pretendon vetëm 1,300 humbje në Ukrainë, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës thotë se numri i të vdekurve rusë ka tejkaluar 26,000.
