Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është shprehur ditën e sotme se do të padisë ish-deputeten e Partisë Demokratike për shpifje, pasi kjo e fundit e lidhi atë me përgjimet e “Ndraghetës”.
Ndërkohë për këtë çështje ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike, që shprehet se nuk kanë frikë nga asnjë proces gjyqësor që tenton të imponojë heshtjen e tyre.
PD me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se Rama ka si qëllim të vazhdojë të qeverisë në kurriz të popullit, por askush nuk do t’i mbyllë gojën demokratëve për të folur të vërtetat.
“Është e qartë: Rama dhe buratini i tij kryesor janë të frikësuar
Ata po përpiqen të mbyllin gojën e kujtdo që thotë të vërtetën.
Qëllimi i vetëm i tyre është të vazhdojnë të qeverisin në kurriz të popullit shqiptar me dështimet e tyre, pa asnjë ndërhyrje.
Ne nuk kemi frikë nga asnjë proces gjyqësor që tenton të imponojë heshtjen tonë, pasi jemi këtu vetëm për një qëllim që është interesi publik i shqiptarëve.
As Rama, as buratini i tij, askush nuk do të na e mbyllë gojën”, thuhet në reagimin e PD.