Të njëjtët që deri sot në drekë bërtisnin se nuk ka asnjë problem të bëhen zgjedhjet pa opozitën, tani thonë se anullimi i zgjedhjeve në Kavajë ishte vendim i duhur pasi zgjedhjet nuk mund të mbahen pa opozitën sepse kjo do përkthehej në destabilitet. Nëse kjo do ishte kuptuar që ditën e parë, shqiptarëve do ju ishte kursyer kohë, nerva dhe para. Opozita ka kapur një pozicion bllokues. Dhe roli bllokues i minorancave kur ato kanë mundësi dhe aftësi ta ushtrojnë njihet në demokraci. Po bën mirë apo keq, e drejtë apo e gabuar, këtë do e vendosin shqiptarët kur të shkojnë të votojnë, por ajo po e bën. Opozita nuk ndryshohet në tavolinë por në kuti. Nëse shqiptarët nuk janë dakord, do e asgjësojnë me votë, por duhet të ketë zgjedhje. Nëse kori i sotëm i politikanëve dhe ambasadorëve do e kishte pranuar këtë fakt që ditën e parë, sot kriza do ishte zgjidhur sepse do ishte kursyer arroganca dhe dhuna verbale. Arroganca asnjëherë nuk ka zgjidhur probleme, ka krijuar të tjera edhe më të mëdha. Ndaj gjuhën e sotme ruajeni në vazhdim deri në zgjidhje, në të kundërt në 18 qershor porosisni një sondazh te Zaloshnja dhe quajeni proçes elektoral.
