Parashtesa “zh” , ashtu si “ç” apo “sh” i jep fjalës kuptim të kundërt. Bëj – zhbëj, montoj – çmontoj, qep – shqep…
Pra, teorikisht i bie : gënjej – zhgënjej
A është “zhgënjim” e kundërta e “gënjim”?
Në të vërtetë “gënjim” nuk është fjalë shqip. Por sa mirë sikur të futet!
Ndryshe nga gënjeshtra, pra kur dikush thotë të pavërteta, unë besoj se GËNJIMI është një proçes i shtrirë në kohë që NEVE i bëjmë vetes, duke krijuar realitete të pavërtetë. Më shkoqur: nëse marrim pjesë të vërtetash e i mbrujmë me dëshirat a bindjet tona, fruti i ri del një realitet që mund të mos përputhet me të vërtetën.
Shembull: Nëse ne besuam se demokracia është e kundërta e komunizmit, besuam se meqë ca politikanë shanin komunizmin patjetër që ishin antikomunistë, për rrjedhim edhe demokratë….
Ose, në dashuri:
Një buzëqeshje e vajzës/ djalit që ti do mund të të fusë në një labirinth realiteti subjektiv, i cili s’është tjetër veç një proçes GËNJIMI.
Shpjegova në këtë mënyrë GËNJIMIN ( që, e përsëris, në shqip nuk është si fjalë ) për të kuptuar ZHGËNJIMIN.
Ç’është në thelb ZHGËNJIMI?
Zgjimi nga një ëndërr, ballafaqimi me të vërtetën i realitetit tënd. Nëse ti je GËNJYER, kur ndodh e kundërta, pra mbaron proçesi i GËNJIMIT, ZHGËNJEHESH.
Kur ke jetuar me një gënjeshtër, ke investuar kohë, ndjenjë, punë, energji, parà në një rrugëtim gënjimi, në ndërtimin e një realiteti të pa mbështetur plotësisht mbi të vërtetën, ti NDJEHESH I HUMBUR.
Zhgënjimi është saktësisht ndjenja e humbjes kur zgjohesh. Siç e shpjegon mjeku Apostol Vaso dhimbjen fantomë: edhe kur një gjymtyrë është e prerë ti ndjen dhembje njëlloj sikur ta kishe ende aty. Si një gjymtyrë e prerë dhemb humbja . Çfarë tragjedie duhet të jetë kur të del narkoza, do të kruash faqen por me llahtar kupton se as gishtat, as krahun nuk do ti keshë më kurrë në jetë dhe asgjë që bëje me to nuk do të jetë më!
Tragjikja me ZHGËNJIMIN është se TI NDJEHESH FAJTOR NË KULM.
Në rastin e gënjeshtrës , jo doemos. Kur të gënjejnë, më së shumti fajin e kanë të tjerët.
Ndërsa në proçesin e GËNJIMIT fajin e ke PLOTËSISHT TI!! Ti je idioti që ke interpretuar një propozim dashurie si më të madhen ndjenjë në botë, një ” deri në frymën e fundit” si premtim të dashurisë së përjetshme, një “do hamë me lugë floriri” si më të mirën e qeverisjeve, një “paratë e shqiptarëve janë më të pastrat” si garanci që fajdetë do vazhdojnë të prodhojnë para pa fund etj etj.
E, meqë fajtor je TI, bashkë me realitetin subjektiv ( ëndrrën ) që ke prodhuar, humbet tragjikisht edhe BESIMIN, VLERËSIMIN dhe RESPEKTIN për vetveten.
Është shumë herë më e rëndë sesa humbja e një gjymtyre dhe po aq i parikthyeshëm sa humbja e një gjymtyre ZHGËNJIMI.
