Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Astirit, në Tiranë, pas mesnatës së kaluar, ku një zjarr përfshiu një pallat.
Ngjarja ka tmerruar banorët, të cilët siç shihet nga pamjet, kanë lënë menjëherë banesat e tyre.
Pamjet tregojnë se tymi i zi ka “pushtuar” pallatin, ndërsa 8 persona kanë përfunduar në spital me dëmtime të lehta. Gjithashtu, nga flakët janë shkrumbuar katër automjete në garazhin e pallatit.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 21.06.2022, në Unazë të Re, në rrugën “Aleksandri i Maqedonisë”, në orët e para të mëngjesit ka rënë zjarr në një garazh dhe janë djegur 4 automjete.
Si pasojë e zjarrit, janë dëmtuar lehtë dhe kanë shkuar për mjekim në spital shtetasit A. Xh., 28 vjeçe, F. J., 23 vjeçe, D. J., 27 vjeçe, I. Xh., 31 vjeçe, E. Xh., 27 vjeç, E. K., 35 vjeçe, M. B., 48 vjeçe dhe N. B., 50 vjeç, të cilët pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë larguar.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
